Imagjinoni këtë: Qindra mijëra duartrokasin duart njëkohësisht, duke buzëqeshur dhe duke lëvizur këmbët me një ritëm. Ata po kënaqen me muzikë të mrekullueshme, po shoqërohen me miqtë dhe të panjohurit dhe po i bëjnë të gjitha në mbështetje të një kauze fisnike. Kjo është baza e një koncerti bamirës.
Muzika luan një rol vendimtar në shoqëri. Është një tipar që ne përdorim për të identifikuar veten, për të gjetur njerëz me mendje të njëjtë dhe për të ndarë mendimet tona. Për shumë muzikantë, kjo është një mënyrë për të përhapur ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme që kanë rëndësi për ta, sidomos kur organizmat tjera dështojnë ose nuk kanë vullnet për t’u marrë me ato kauza. Koncertet bamirëse janë ngjarje muzikore të mbajtura për të rritur ndërgjegjësimin dhe fondet për një çështje të caktuar. Artistët gjatë historisë e përdorën këtë mjet për të ndihmuar në krijimin e ndryshimeve pozitive, lokale por edhe globale. Ekzistojnë shembuj në historinë muzikore të koncerteve që janë vënë në skenë për qëllime filantropike
Kitaristi i Beatles, George Harrison, njihet si pionieri i koncerteve bamirëse në kohën moderne. Ai organizoi fillimisht koncertin kolosal për Bangladeshin me mikun e tij, maestron Ravi Shankar. Gjithçka filloi kur Ravi Shankar muzicient etnik bengal nga India deshi të organizojë një aksion për t’i mbledhur 25 mijë dollarë për refugjatë bengal të luftës civile për pavarësinë e Bangladeshit, të cilët aq më tepër rrezikoheshin nga vërshimet katastrofike, nga cikloni Bohla, me ç’rast kishin humbur jetën afër gjysmë milioni njerëz dhe në rrezik ishin edhe 250 mijë të tjerë. Këtë Ravi Shankar ia tha mikut të tijë George Harrison nga Beatles. Harrison mori inciativën dhe arriti t’i mobilizojë shumë personalitete muzikore të asaj kohe, Bob Dylan, Eric Clapton, Ringo Star, Leon Russel, Billy Preston etj.
Ky ishte koncerti i parë muzikor në botë i mbështetur nga UNICEF. Ai u mbajt në Madison Square Gardens më 1 gusht 1971 para 40 mijë spektatorëve. Rreth 12 milionë dollarë ndihma u mblodhën, të cilat iu dorëzuan UNICEF-it. Koncerti krijoi një ndikim të fortë në kulturën perëndimore që masat të jenë më sensibilizuese për fatkeqësitë dhe problemet që ndodhin gjeografikisht larg tyre.
Më 13 korrik 1985, në stadiumin Wembley në Londër, Princi Charles dhe Princesha Diana hapën zyrtarisht Live Aid – koncert rock mbarëbotëror i organizuar për të mbledhur para për lehtësimin e afrikanëve të goditur nga uria në Etiopi.
Vazhdoi në stadiumin JFK në Filadelfia, ku Joan Baez e nisi në mënyrë të famshme duke i thënë turmës “ky është Woodstock-u juaj dhe ka kohë që ka vonuar” dhe në arena të tjera në mbarë botën, “superkoncerti” 16-orësh u lidh globalisht me 13 satelitë për gati 2 miliard shikues (40 përqind të popullatës së atëhershme në botë) në 150 vende.
Live Aid ishte ideja e Bob Geldof, këngëtari i një grupi rock irlandez Boomtown Rats. Në vitin 1984, Geldof udhëtoi për në Etiopi pasi dëgjoi raportet e lajmeve për një zi buke të tmerrshme, që kishte vrarë qindra mijëra etiopianë dhe kishte kërcënuar të vriste miliona të tjerë.
Pasi u kthye në Londër, ai thirri artistët më të mirë të muzikës në Britani dhe Irlandë për të inçizuar një këngë për të ndihmuar nga uria Etiopinë. “Do they know is Christmas?” (A e dinë ata se janë Krishtlindjet) u shkrua nga Geldof dhe Midge Ure, këngëtari i grupit Ultravox dhe u interpretua nga “Band Aid”, një ansambël që përfshin Culture Club, Duran Duran, Phil Collins, U2, Wham, Sting dhe të tjerë.
Ishte kënga më e shitur në Britani deri në atë datë dhe mblodhi më shumë se 10 milionë dollarë.
Artistët në Amerikë të frymëzuar nga kolegët e tyre nga Britania u bashkuan dhe performuan “We Are the World” (Ne Jemi Bota) një këngë e shkruar nga Michael Jackson dhe Lionel Richie. “USA For Afrika” (SHBA për Afrikën), siç njihej ansambli i SHBA-së, përfshinte Jackson, Richie, Harry Belafonte, Bob Dylan, Cyndi Lauper, Paul Simon, Bruce Springsteen, Tina Turner, Stevie Wonder dhe shumë të tjerë. Kënga shkoi në krye të top-listave dhe përfundimisht mblodhi 44 milionë dollarë.
Organizuar në vetëm 10 javë, Live Aid u vu në skenë të shtunën, më 13 korrik 1985. Formacioni përmbante më shumë se 75 performues, duke përfshirë Elton John, Queen, Madonna, Santana, Run DMC, Sade, Sting, Bryan Adams, Beach Boys, Mick Jagger, David Bowie, Duran Duran, U2, the Who, Neil Young dhe Eric Clapton. Shumica e këtyre artistëve performuan ose në stadiumin Wembley në Londër, ku dolën një turmë prej 72,000 vetësh, ose në stadiumin JFK të Filadelfias, ku turma ishte mbi 89,000.
Një performancë e paharrueshme e koncertit ishte nga Queen, veçanërisht frontmeni Freddie Mercury, i cili papritur vodhi shfaqjen me një performancë të ashpër. Duke kaluar nga “Bohemian Rhapsody” në “We Will Rock You” dhe duke përfunduar me “We Are the Champions”.
Një tjetër moment kryesor ishte ribashkimi i anëtarëve të mbijetuar të Led Zeppelin enkas për këtë rast. Paul McCartney dhe Pete Townsend mbajtën Bob Geldofin lart mbi supet e tyre gjatë finales në Londër. Gjashtë orë më vonë, koncerti në SHBA përfundoi me “We Are the World”.
Live Aid përfundimisht mblodhi 280 milionë dollarë për lehtësimin e urisë për kombet afrikane dhe publiciteti që gjeneroi i inkurajoi vendet perëndimore të vënë në dispozicion drithëra të mjaftueshëm për t’i dhënë fund krizës së menjëhershme të urisë në Afrikë. Geldof më vonë u shpall kalorës nga Mbretëresha Elizabeth II për përpjekjet e tij.
Viti 1985 kaloi në shenjë të koncertit Live Aid, aty ku politikanët dhe organizmat tjerë globalë gati se dështuan, muzicientët treguan pjekuri, humanizëm dhe vendosshmëri. Asnjë ngjarje më herët nuk ka ndikuar në entuziazëm, ndërgjegjësim dhe solidaritet global si koncertet Live Aid. Ato ndikuan në vetëdijesimin e masave se në të njëjtin planet shumë ushqim përfundon në mbeturina ndërsa 2000 kilometra më tutje njerzit vdesin nga uria. Kjo ngjarje vuri në lëvizje një mori koncertesh bamirëse, të cilët vazhdojnë deri sot.
Live Aid ndikoi që të organizohen një mori koncertësh për Amnesty international nga viti 1986 deri më 1998. Ishin katër grupe të veçanta koncertesh ”A Conspiracy of Hope” (Një komplot i shpresës), “Human Rights Now” (Të Drejtat e njeriut tani), “An Embrace Of Hope” (Një përqafim i shpresës) dhe “The Struggle Continues” (Lufta Vazhdon).
Gjithsej ishin 28 koncerte dhe pothuajse të gjithë muzikantët kryesorë bashkëkohorë të botës performuan në to në periudha të caktuara, U2, The Police, Bruce Springsteen, Radiohead, Robert Plant dhe Jimmy Page i Led Zeppelin, The Hooters, Sting, Lou Reed, Bryan Adams, Joan Baez, Sinéad O’Connor, Alanis Morissette, Shania Twain, Bob Geldof, Joan Armatrading, Carlos Santana, Yoko Ono, Joni Mitchell, Tracy Chapman, Youssou N’Dour dhe shumë të tjerë. Peter Gabriel si iniciator kryesor dhe si lidhja mes artistëve dhe Amnesty International ka performuar në të gjitha 28 koncertet.
Më 2 korrik 2005, shumë qytete në gjithë globin ishin të mbushur me njerëz që dëshmonin koncertin pasues të “Live Aid”, i quajtur “Live 8” sipas samitit të 8 vendeve më të zhvilluara. 10 koncerte u mbajtën njëkohësisht në të gjithë botën duke përfshirë Berlinin, Londrën, Romën dhe Moskën.
Mbi 1250 muzikantë dhe mbi 50 grupe performuan në këto koncerte që u transmetuan në 182 rrjete televizive dhe 2000 stacione radiofonike. Koncertet filluan me 2 korrik në Hyde Park në Londër. Më 6 korrik u mbajt koncerti i fundit në Edinburgh dhe ishte koncerti më i afërt gjeografikisht me vendndodhjen e samitit të G8. Më 8 korrik, samiti i G8 përfundoi dhe liderët u zotuan të rrisin ndihmën për Afrikën nga 25 miliardë në 50 miliardë dollarë deri në vitin 2010. Koncertet u mbajtën rreth 20 vjetorit të Live Aid në 1985. Edhe ky projekt u realizua nga Bob Geldof i cili ishte më ambicioz se Live Aid dhe me sfida më të mëdha.
Geldof hapi koncertin në Londer dhe mysafir i kishte Sekretarin e atëhershëm të Kombeve të Bashkuar Kofi Annan dhe Bill Gates, themeluesin e Microsoftit.
Ai po ashtu arriti t’i bindë anëtarët e grupi Pink Floyd që pas 24 viteve të bëjnë një ribashkim për këtë rast.
“Momenti ishte më i madh se ato ndjenja të këqija mes nesh,” tha David Gilmour kitaristi i Pink Floyd për Associated Press në ditët para paraqitjes së Pink Floyd më 2 korrik 2005.
“Çdo grindje që Roger Waters (baskitaristi dhe njëri nga themeluesit të Pink Floyd) dhe grupi kanë pasur në të kaluarën janë kaq të vogla në këtë kontekst, dhe nëse reformimi për këtë koncert do të ndihmojë në përqendrimin e vëmendjes, atëherë do të jetë e vlefshme.”
Dhe kështu formacioni i epokës klasike të Pink Floyd – Gilmour, Mason, Waters dhe Wright – doli në skenë për herë të parë që nga vitit 1981, por mjerisht, për herë të fundit. Pas këtij koncerti katalogu i albumeve të Pink Floyd shënoi një rritje mahnitëse të shitjeve prej 1300 përqind, Gilmour njoftoi se do t’i dhuronte të gjitha të ardhurat nga kjo rritje për bamirësi në kuadër të projektit Live 8.
Edhe Kosova me historinë e saj të dhimbshme ka qenë subjekt i shumë koncerteve dhe aksioneve muzikore bamirëse.
Më 19 Gusht 1999 një koncert me gospel dhe rock grupet të pavarura lokale për Kosovën u organizua nga vullnetarë të zonës së Bostonit për të mbledhur fonde për organizatat që ofruan ndihmë humanitare dhe dokumentacion për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Fitimet nga ky koncert shkuan për Oxfam America, Mjekët për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.
Laureati i Nobelit për Paqe, Elie Wiesel ishte bashkëkryesues nderi i ngjarjes. Më 30 Maj 1999 në Londër u mbajt një event “Kosovo Aid Benefit Party”, ku kanë marrë pjesë Paul Veller, Brayan Ferry, Travis, Sterephonics etje.
Më 9 Prill 1999 në sheshin kryesor në Tel Aviv në Izrael para disa mija vizitorëve u mbajt një koncert për Kosovën nën moton “We All People Cannot Remain Silent”.
Në Çeki mbahen dy koncerte të tilla, më 2 maj 1999 në Pallatin Akropolis në Prgë grupi legjendar çek, The Plastik People Of Universe mban koncert për refugjatët nga Kosova. Një muaj më vonë më 3 qershor 1999 në stadiumin dimëror në Pragë realizohet koncerti për Kosovën nën moton “SOS Kosovo” ku marrin pjesë 17 performues dhe rock grupe më eminente në Çeki.
Koncerti zgjati 8 orë dhe u transmetua drejtëpërdrejt nga televizioni publik çek. “No Boundaries: A Benefit For The Kosovar Refugees” është një album i realizuar më 15 qershor 1999, nga Epic Records, i cili paraqet një pjesë të vogël të artistëve që mbledhin para për kosovarët e transportuar në Australi gjatë, Luftës së Kosovës.
Përveç grupit australian Jebediah dhe këngëtari nga Zelanda e Re, Bic Runga në album me këngët e tyre kanë kontribuar edhe performuesit ndër më të famshmit asokohe, Peter Gabriel, Manic Street Preachers, Neil Young, Oasis, Pearl Jam etj.
George Michael, në pamundësi për të marrë pjesë në këto evente pat dhuruar personalisht 500 mijë funta për Kosovën menjëherë pas luftës në kuadër të programit NetAid.
Grupi Irlandez Kelly Family relizoi këngën “Children Of Kosovo” ndërsa Roger Waters nga Pink Floyd relizon “Each Small Candle” (Çdo qiri i vogël) ku përshkruan një moment nga lufta në Kosovë./Katror.info