Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ishte i ftuar si panelist në Kongresin e 24 të Mbrojtjes dhe Sigurisë Evropiane, pjesë e Konferencës së Sigurisë së Berlinit, ku mori pjesë në debatin e nivelit të lartë “Autoritarizmi në rritje: Rusia – Kërcënimi, rreziku dhe zbutja e tyre”.
Gjatë konferencës, Ministri Maqedonci zhvilloi takime me personalitete të njohura ndërkombëtare, përfshirë Florian Hahn, Ministër Shteti dhe deputet në Bundestagun gjerman, Gjeneralin Ingo Gerhartz, Komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Brunssum, si dhe Princeshën Victoria të Suedisë.
Një moment i veçantë ishte takimi bilateral me Ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut, Yuriko Nadia Backes, ku u diskutua situata e përgjithshme e sigurisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Pjesëmarrja e Ministrit Maqedonci në këtë konferencë tregon angazhimin e tij për forcimin e dialogut ndërkombëtar dhe për avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë./Katror.info











