Grupi i grave me moton “Marshojmë, s’festojmë” do të shënojnë me marshin tashmë tradicional 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Edhe 8 marsin i sivjetëm e manifestojmë në rrugë nën thirrjen “Marshojmë s’festojmë për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”. Sikundër çdo 8 mars, edhe këtë vit ne organizohemi në protestë kundër sistemit shtypës patriakalo-kapitalist, heteronormativ, transfob e racist. Bashkë marshojmë e revoltohemi meqë refuzojmë t’i dorëzohemi një sistemi i cili dhunon e vret vajza e gra cis e trans. Organizohemi nga kuzhinat, vendet e punës, shkollat e fakultetet, qytete e katune dhe e denoncojmë këtë sistem i cili vazhdon të na shfrytëzojë e dhunojë,” thuhet në njoftimin e “Marshojmë, s’festojmë” në Facebook.
“Këtë vit ne e denoncojmë dhunën e gjinizuar në shumëdimensionalitetin e saj. Duke filluar nga organizimi i gjinizuar i punës dhe feminizimi i varfërisë, dhunës seksuale, psikologjike e fizike e deri tek dhuna e institucionalizuar e cila vazhdon t’i shtypë gratë në mënyrë asimetrike duke i shndërruar në subjekte më të cenueshme dhe më të varfëra. 8 marsi fton në organizim popullor dhe solidaritet në luftën e përbashkët për çlirim, barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore.”
Këtë vit marshi në Prishtinë do t’i ketë tri pikëtakime kryesore:
- 10:00 – Pallati i Drejtësisë, Hajvali, Prishtinë
- 11:20 – Rrethi i Flamurit, Prishtinë
- 12:00 – Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, për të vazhduar në trajektoren tradicionale deri te Qeveria e Kosovës.
- *Nisja për në Hajvali bëhet me autobusë të organizuar nga Kolektivi „Marshojmë s’festojmë” tek parkingu pranë TV21 – në ora 9:40./Katror.info