Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka organizuar më 20 shtator FIBA SCOD Klinikën para-sezonale për gjyqtarët e saj, ndërsa një ditë më vonë, më 21 shtator, në Shkollën “Model” u zhvillua edhe testi i fitnesit nga FIBA, shkruan Katror.info.
Në këtë aktivitet morën pjesë 71 gjyqtarë nga të gjitha listat e FBK-së, si dhe 12 gjyqtarë dhe vëzhgues nga Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB), në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy federatave.
Klinika u udhëhoq nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ku u trajtuan tema të rëndësishme për zhvillimin dhe standardizimin e gjykimit, përfshirë: performancën e gjyqtarëve dhe planet për vitin 2026, procesimin e lojës dhe mekanikën 3PO – IOT, manualin e IRS dhe protokollin 50-50, analizën e ndeshjeve me klipet e ProCredit Superligës, si dhe testet online e fizike.
FIBA Referee Instruktori, Sinisa Herceg, vlerësoi nivelin e organizimit dhe angazhimin e gjyqtarëve nga të dyja federatat, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në rritjen e cilësisë së arbitrimit./Katror.info.