Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, Anibar ka mbyllur thirrjen për filmat e edicionit të 15-të të festivalit i cili do të ndodhë në datat 15-21 korrik 2024, në qytetin e Pejës.
Përmes një komunikate për media, organizatorët njoftojnë se përgjatë 7 muajve, kanë aplikuar 1531 filma të animuar artistik nga 77 vende të botës, duke e bërë këtë numrin më të lartë të aplikimeve ndonjëherë.
Sipas njoftimit, thirrja i’u është shpërndarë studiove të animacionit, regjisorëve të njohur por dhe atyre të rinj dhe me potencial në industri, departamenteve të animacionit nëpër Universitetet me nam botëror, dhe platofrmave të tjera të njohura për mbledhjen e projekteve të animuara, përcjell Katror.info.
Anibar njofton se këtë vit janë zgjeruar edhe vendet e aplikimit, gjithsej në 43 shtete më shumë, duke përfshirë edhe vende si: Filipinet, Mianmar, Kazakistani, Egjipti, Ekuadori, Vietnami, Uruguai, Siria, Republika Arabe, Peru, Palestina, Zelanda e Re, Malajzia, Makao, Lebanoni, Iraki, Islanda, Ishujt Faroe, dhe Azerbajxhani.
Filmat do të ndahen në 6 kategori garuese, dhe 2 kategori speciale, ndërsa garat e këtij edicioni do të jenë ajo Ndërkombëtare, Studentore, Ballkanike, e Filmave për të Drejtat e Njeriut, Video-Animacioneve Muzikore, dhe e Audiencës së Re.
Ndërkaq, dy programet speciale do të jenë ajo e Panoramës dhe e Filmit Eksperimental.
Komunikimi për Programin e finalizuar Filmik pritet të ndodhë në fillim të muajit të ardhshëm. /Katror.info