Në Korçë është prezantuar për herë të parë një revistë e cila do t’i dedikohet artit mesjetar. Revista vjen si një botim i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës ndërsa drejtuesit e saj thanë se çdo studim, artikull shkencor, hulumtim apo kërkim nga ana e autorëve të njohur të botës akademike do të gjejë vend botimi në revistën e cila do të jetë e përvitshme.
“Mbi artin mesjetar” është revista e re që vjen për herë të parë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës.
Revistë e cila do të shërbejë për studiuesit e artit të ikonografisë të periudhës bizantine kryesisht, për të botuar të gjitha studimet e tyre.
Drejtorja e muzeut, Fjoralba Prifti, në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se për çdo studim, artikull shkencor, hulumtim apo kërkim nga ana e autorëve të njohur të botës akademike do të gjejë vend botimi në revistën e cila do të jetë e përvitshme.
Gjithashtu sipas saj arti mesjetar mbetet objekt i studimit të historisë së këtij arti pasi vlerat e muzeut me 8200 objekte, 6400 prej të cilëve ikona, kanë qenë dhe do të jenë objekt studimi.
Për studiuesin Pandi Bello, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, ka objekte 1 mijë vjeçare të ikonografisë shqiptare ndërkohë që në fondin e këtij muzeu ka të ruajtur edhe objekte që kanë të bëjnë me muzikën bizantine.
Në numrin e parë të kësaj reviste janë sjellë studime nga autorë të ndryshëm të artit bizantin të ikonografisë në veçanti të autorëve më të njohur që nga Shpataraku, Vëllezërit Zografi, si dhe ikonografë të tjerë që i përkasin kësaj periudhe./Katror.info