Ministria e Ekonomisë ka nisur zyrtarisht fazën e parë pilot të procesit për pajisjen me identitet elektronik (eID), një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve publike dhe modernizimit të administratës në Kosovë. Ky proces zhvillohet në kuadër të Projektit Kosovo eID, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Innovation.
Të premten, në kuadër të fazës pilot, Ministria realizoi me sukses regjistrimin dhe pajisjen me eID të stafit të saj, duke shënuar një avancim kyç në ofrimin e shërbimeve elektronike të sigurta për qytetarët dhe institucionet. Platforma teknike është finalizuar plotësisht dhe përfshin sistemin e regjistrimit të qytetarëve, aplikacionin zyrtar “Kosova e-Wallet” si dhe modulin për nënshkrim elektronik.
Gjatë sesionit të parë informues për stafin e ME-së, u prezantuan funksionalitetet e aplikacionit “Kosova e-Wallet”, i cili tashmë është i qasshëm në pajisje Android dhe iOS. Përmes tij, qytetarët do të mund të kryejnë autentifikim elektronik, të përdorin nënshkrimin elektronik dhe vulën elektronike për nënshkrimin e dokumenteve digjitale.
Përfitimet kryesore të eID:
- Siguri dhe besueshmëri: Sistemi është plotësisht i harmonizuar me standardet e Rregullores së BE-së për identifikim elektronik (eIDAS) dhe Ligjin Nr. 08/L-022 për Identifikimin Elektronik.
- Shërbime publike online: Qytetarët do të identifikohen në mënyrë të sigurt në mjedise online, pa nevojë për prezencë fizike, duke nënshkruar dokumente në mënyrë elektronike.
- Përshpejtim i proceseve: eID vendos themelet për një administratë moderne, efikase dhe të digjitalizuar.
- Përfshirje digjitale: Krijon mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në ekosistemin digjital.
Në ditët në vijim, pajisja me eID do të vazhdojë për zyrtarët e administratës publike. Pas përfundimit të fazës pilot, procesi do të shtrihet në të gjithë vendin, duke e bërë identitetin elektronik të qasshëm për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.
Ky zhvillim përbën vetëm njërin nga hapat e shumtë që Ministria e Ekonomisë po ndërmerr për të ndërtuar një administratë moderne dhe për të garantuar shërbime më të sigurta e më efikase për publikun./Katror.info











