Pas muajsh spekulimesh, Meta ka prezantuar zyrtarisht syzet e saj më të fundit inteligjente, këtë herë në bashkëpunim me Oakley. Këto syze të reja sjellin përmirësime të dukshme në krahasim me modelin Meta Ray-Ban, duke ofruar një jetëgjatësi më të gjatë të baterisë dhe aftësi për të regjistruar video me cilësi 3K.
Modeli i ri bazohet në stilin sportiv HSTN të Oakley dhe synon veçanërisht sportistët dhe fansat aktivë. Edicioni special i quajtur “Oakley Meta HSTN” vjen me një dizajn të artë dhe do të kushtojë rreth 499 dollarë kur të dalë në treg më 11 korrik. Pjesa tjetër e koleksionit pritet të lansohet nga fundi i verës me çmim fillestar 399 dollarë, raporton Katror.info.
Këto syze janë të pajisura me kamera në pjesën ballore, altoparlantë dhe mikrofonë të integruar. Ato mund të përdoren për dëgjim muzike, bërje fotosh dhe kryerje apo pranimin e thirrjeve telefonike.
Veçori tjetër e rëndësishme është integrimi i Meta AI – një asistent i mençur që mund të përgjigjet në pyetje, të japë informacione dhe madje të aktivizojë kamerën për regjistrim video me komandë zanore.
Bateria e tyre zgjat deri në 19 orë, ndërsa me një karikim prej 20 minutash, sigurohet rreth 50% energji. Pajisja shoqërohet edhe me një këllëf mbushës që ofron deri në 48 orë shtesë funksionim.
Do të jenë të disponueshme në gjashtë dizajne dhe ngjyra të ndryshme, dhe do të shiten në SHBA, Kanada, MB, Irlandë, Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, dhe vende të tjera europiane. Në fund të vitit, pritet të hyjnë edhe në tregjet e Meksikës, Indisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe./Katror.info