Edhe pse përmbajtja mund të shfaqet në rrjetet sociale sipas radhës, nga postimet më të fundit deri tek ato më të vjetrat, përdoruesit më së shpeshti shohin përmbajtjen e sugjeruar nga Facebook, Instagram ose platforma të tjera që përdorin. Në të njëjtën kohë, platformat përdorin algoritme dhe rregulla të ndryshme që nuk janë shumë të qarta për përdoruesit dhe ata nuk e dinë se në çfarë parimi u shfaqen njoftime të caktuara, sugjerime për grupe, miqësi dhe të ngjashme.
Këtë javë Meta vendosi të çmitizojë algoritmet për Facebook dhe Instagram dhe publikoi në faqet e tyre 22 rregulla mbi të cilat bazohet algoritmi, pra mbi bazën e të cilave rendit përmbajtjen që do të shfaqet në mur, Reels ose brenda stories.
Çdo sistem AI që vendos se çfarë do të shfaqet përmban modele që lejojnë krijimin e parashikimeve të shumta rreth përmbajtjes që është më e rëndësishme dhe e dobishme për përdoruesit, bazuar në sinjale të caktuara hyrëse. Sinjalet hyrëse i përkasin një game të gjerë kategorish, p.sh. veçoritë unike të postimit, si ndërvepruan përdoruesit me postimin dhe se si përdoruesit kanë reaguar më parë ndaj përmbajtjeve të ngjashme. Modelet e parashikimit, parashikimet që ato krijojnë dhe sinjalet e tyre hyrëse janë dinamike. Ato ndryshojnë shpesh sepse sistemi mëson dhe përmirësohet me kalimin e kohës dhe sepse produktet e Metës ndryshojnë, thuhet në faqen e internetit të Metës, shkruan Katror.info.
Meta i ka ndarë këto rregulla në 22 karta që mund t’i gjeni në faqet e tyre dhe brenda secilës kartë shpjegohen rregullat mbi të cilat bazohet algoritmi, pra kriteret e përzgjedhjes së përmbajtjes më interesante për përdoruesit, bazuar në preferencat individuale dhe që ndryshojnë nga personi në person.
Për shembull, kur zgjedh përmbajtjen që do të shfaqet në murin e Facebook-ut, sistemi i inteligjencës artificiale të Metës fillimisht mbledh të gjitha postimet e mundshme nga miqtë dhe faqet që ndiqni, pas së cilës fillon të aplikojë sinjale të tjera – p.sh. kush e krijoi postimin dhe sa nga miqtë tuaj kanë reaguar tashmë për atë postim. Bazuar në atë dhe modelet e Facebook-ut, algoritmi parashikon se cila përmbajtje do të jetë më e rëndësishme, pas së cilës sistemi llogarit rëndësinë e rreth 500 postimeve që do të jenë më interesante për përdoruesit dhe krijon një renditje të shfaqjes bazuar në ato rezultate.
Nëse po pyesni se pse Meta vendosi të ndërmarrë një hap të tillë dhe të zbulojë papritur detaje për algoritmin e tyre për përdoruesit, arsyeja nuk gjendet në vetë Meta, por në ligjet e BE-së, sipas të cilave së shpejti të gjitha shërbimet online që ofrohen në territor të vendeve të Bashkimit Evropian do të duhet të jenë transparentë për teknologjinë dhe algoritmet mbi të cilat bazohen. Gjithashtu, me rregullat e reja do të ndalohet reklamimi i synuar bazuar në fenë, orientimin seksual, preferencat politike dhe të ngjashme. /Katror.info