Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zyrtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë pranuar sot një kontingjent me mijëra dronë luftarakë kamikazë të tipit Skydagger, që kanë mbërritur në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.
Dronët janë të prodhuar nga kompania turke Baykar, me të cilën Kosova kishte nënshkruar kontratë në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas njoftimeve zyrtare, pajisjet ishte planifikuar të mbërrinin në janar të vitit 2026, por janë dorëzuar tre muaj më herët.
Këta dronë, të njohur si FPV RTF (Ready to Fly), janë të pajisur me mjete shpërthyese dhe mund të godasin objektiva lëvizëse apo statike të armikut.
“Ne jemi duke investuar që ushtria jonë të jetë e aftë dhe koherente me zhvillimet teknologjike dhe taktikat bashkëkohore. Sot është një ditë e jashtëzakonshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi kryeministri Kurti.
Me këtë kontingjent, FSK-ja shton flotën e saj të mjeteve ajrore pa pilot, që tashmë përfshin TB2 Bayraktar (turk) dhe Puma (amerikan). /Katror.info