Ministrat e Mjedisit të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në Bruksel për të kapërcyer mosmarrëveshjet lidhur me objektivat kyçe të uljes së emetimeve, vetëm pak ditë para hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, të njohur si COP30, që do të mbahet në Brazil.
Qëllimi i ministrave është të arrijnë një qëndrim të përbashkët për ligjin e klimës së BE-së për vitin 2040, pasi Komisioni Evropian ka propozuar një ulje të emetimeve me 90% deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990, bazuar në prova shkencore.
BE-ja synon të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, që do të thotë se nuk do të prodhohen më shumë gaze serrë sesa ato që mund të përthithen nga natyra ose nga teknologjitë e reja.
Aktualisht, vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të ulin emetimet që dëmtojnë klimën me 55% në nivel blloku deri në fund të dekadës, krahasuar me vitin 1990.
Megjithatë, kryeqytetet evropiane janë përballur me vështirësi për të rënë dakord mbi angazhime të reja reduktimi, për shkak të shqetësimeve ekonomike dhe ndryshimeve gjeopolitike.
Një kompromis i mundshëm mund të përfshijë lejimin e kompensimit të një pjese më të madhe të reduktimit të emetimeve përmes certifikatave klimatike të njohura ndërkombëtarisht, si dhe futjen e një klauzole rishikimi.
Për miratimin e vendimit kërkohet një shumicë e dyfishtë, të paktën 15 nga 27 shtetet anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së.
Ligji do të duhet të finalizohet më pas përmes negociatave me Parlamentin Evropian./RTSH/Katror.info
















