Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka filluar një fushatë sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë nisjes së fushatës, theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, që mundësojnë zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe shpëtimin e jetës.
“Vetëdijesimi dhe informimi i saktë për kujdesin ndaj shëndetit, vetëkontrolli dhe kontrollet e rregullta mjekësore krijojnë hapësirën vendimtare për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe shpëtimin e jetës. Vetëm në vitin 2024 në Kosovë janë regjistruar 640 raste të reja, kryesisht gra, por edhe raste tek burra. Ky realitet e bën kancerin e gjirit një prioritet kombëtar shëndetësor. MSH, në bashkëpunim me IKSHPK, ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh”, tha Kurti.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi rëndësinë e mamografisë dhe vetëkontrollit për parandalimin e kancerit të gjirit.
“Është një nismë që synon ndërgjegjësimin e mijëra grave çdo vit, pa përjashtuar edhe burrat. Vetëkontrolli dhe mamografia janë thelbësore. Vitin e kaluar janë realizuar mbi 1,500 ekzaminime në nivelin tretësor shëndetësor”, deklaroi ai.
Fushatën e mbështeti edhe Mimoza Kusari Lila, e cila ndau përvojën e saj personale me diagnostikimin e kancerit të gjirit dhe bëri thirrje për kontrolle të rregullta. Ajo theksoi se të gjitha shërbimet i ka marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe se diagnostifikimi i hershëm i ka rritur ndjeshëm shanset për shërim.
“Diagnoza e hershme është shpëtim i hershëm. Përmes përvojës sime dua të motivoj çdo vajzë dhe grua të mos frikësohet dhe të kryejë kontrolle. Të gjitha shërbimet e nevojshme janë të ofruara në sistemin publik, dhe nuk ka asnjë arsye për t’u trembur”, tha Kusari Lila.
Fushata do të përfshijë aktivitete të ndryshme për sensibilizimin e popullatës dhe nxitjen e vetëkontrollit dhe ekzaminimeve periodike për kancerin e gjirit./Katror.info