Mark Zuckerberg, drejtori ekzekutiv i kompanisë Meta, në përpjekje për të tejkaluar konkurrencën në garën për zhvillimin e inteligjencës artificiale, disa muaj më parë kontaktoi shqiptaren Mira Murati, ish-drejtoreshën teknologjike të OpenAI, duke i ofruar blerjen e ‘startupit’ të saj “Thinking Machines Lab”.
Murati e refuzoi ofertën, dhe kjo nuk kaloi pa reagimin e Zuckerbergut. Në javët që pasuan, ai kontaktoi rreth 10 nga 50 kolegët e saj për të parë nëse do të ishin të gatshëm të largoheshin nga kompania e saj.
Në shënjestër ishte Andrew Tulloch, bashkëthemelues dhe studiuesi kryesor në “Thinking Machines Lab”. Sipas Wall Street Journal, Zuckerberg i ofroi Tullochit një paketë me vlerë 1 miliard dollarë, e cila me bonuse dhe aksione mund të arrinte deri në 1.5 miliardë dollarë brenda gjashtë vjetëve të ardhshme.
Edhe Tulloch e refuzoi ofertën, njësoj si të gjithë kolegët e tjerë që u kontaktuan nga Meta.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Metës, Andy Stone, e quajti përshkrimin e ofertës “të pasaktë dhe qesharak”, duke deklaruar se Meta nuk është e interesuar për blerjen e “Thinking Machines Lab”.
‘Startupet’ si ai i Muratit ofrojnë më shumë mundësi për të krijuar diçka të madhe, gjë që tërheq shumë ekspertë. Shembull për këtë është edhe fakti që Meta, edhe pse u përpoq të rekrutojë 100 punonjës të OpenAI, arriti të marrë vetëm 10, ndërsa shumica zgjodhën të qëndrojnë në OpenAI, sepse e konsiderojnë atë si kompaninë më të mirë në fushën e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Mira Murati u largua nga pozita e saj në OpenAI në shtatorin e vitit të kaluar. Ajo ishte figurë kyçe në rritjen e kompanisë.
Prej shkurtit 2025, ajo është drejtore ekzekutive e “Thinking Machines Lab”, ku u bashkua me 20 ish-kolegë nga OpenAI, përfshirë John Schulman, një nga mendjet kryesore pas zhvillimit të ChatGPT.
Projekti në të cilin po punon kjo kompani, në të cilën kohët e fundit janë investuar 2 miliardë euro, është rreptësisht sekret. Nga “Thinking Machines Lab” bëjnë të ditur se janë të përkushtuar për të bërë inteligjencën artificiale më të kuptueshme, më të adaptueshme dhe më të aftë në përgjithësi. Vetë Murati ka paralajmëruar se produkti i parë do të prezantohet brenda muajve të ardhshëm./KOHA/Katror.info