Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), prof. dr. Isak Shabani, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjeve midis institucioneve shtetërore dhe akademisë.
Sipas marrëveshjes, palët do të zhvillojnë programe të përbashkëta studimore, do të rrisin kërkimin shkencor dhe do të ofrojnë trajnime praktike për studentë dhe profesionistë të rinj.
Sekretari Dugolli theksoi se marrëveshja krijon “një urë të qëndrueshme mes institucioneve shtetërore dhe akademisë, në shërbim të avancimit të kapaciteteve vendore në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”. Ai shtoi se kjo është “një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen, për ngritjen e kapaciteteve, rritjen e ekspertizës vendore dhe krijimin e një mjedisi ku teknologjia shfrytëzohet për mbrojtje, zhvillim dhe progres”.
Marrëveshja gjithashtu do të ofrojë mundësi për studentët dhe profesionistët e rinj të angazhohen në projekte konkrete dhe laboratorë praktikë, duke forcuar rolin e Kosovës në ekosistemin global të sigurisë dhe inovacionit teknologjik.











