Muzeu Etnografik i Elbasanit, Monument i Kategorisë së parë dhe i vetmi i kësaj natyre në këtë qark pritet që t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë i cili synon të përmirësojë kushtet në të cilat ndodhet.
Monumenti në fjalë është një godinë 2 kate tipike elbasanase me hajat dhe çardak, sipas dokumenteve, dikur ka shërbyer si Banesa e Sejdineve, sot gjysma e tij është kthyer në Muze Etnografik të qytetit Elbasan dhe administrohet nga ana e Bashkisë Elbasan.
Hyrja kryesore e Muzeut është e orientuar nga perëndimi bashkë me kopshtin me pemë dhe lule. Tavanet dhe dyshemeja e katit te parë janë prej druri të gdhendur dhe ka dritare në çdo fasadë. Monumenti ndodhet në qendër të qytetit Elbasan, në anën lindore të sheshit “Aqif Pasha”. Objekti është ndërtuar në një terren të sheshtë dhe daton prej shek. XVIII -të.
Bashkia aktualisht po prokuron pjesën e mbikëqyrjes së punimeve për këtë kontratë e cila synon restaurimin e plotë të këtij Monumenti. Rritja e prurjeve turistike duket se po orienton gjithmonë e më shumë vëmendjen tek plotësimi i ofertës rajonale në qarqe të ndryshme të vendit përfshi këtu edhe Elbasanin.
Në përshkrimin arkitektonik sqarohet se kati i parë ka një korridor të madh dhe 4 dhoma të vizitueshme, shkruan EuroNews.
Të dhënat zyrtare tregojnë për një rritje të interesit për monumentet kulturore dhe kalatë në vend gjatë viteve të fundit. Në janar-korrik 2024 u regjistruan mbi 651.7 vizitorë gjatë Janar-Korrik 2024 në sitet kulturore në vend, një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku 23% e vizitorëve janë turistë të huaj./Katror.info