NASA ka arritur një tjetër sukses historik në fushën e komunikimeve hapësinore, duke transmetuar 15 terabitë të dhëna drejt Tokës përmes lazerit – nga një distancë më e madhe se ajo mes Tokës dhe Marsit.
Ky arritje vjen nga departamenti i Deep Space Optical Communications (DSOC), që po zhvillon teknologji të reja për komunikime më të shpejta dhe më efikase në hapësirë. Siç raporton ScienceAlert, NASA ende përdor transmetime radio të konsideruara tashmë të vjetruara, gjë që kufizon ndjeshëm sasinë e të dhënave që mund të dërgohen, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.
“Ka pengesa në sasinë e të dhënave që mund të transmetojmë në një kohë të caktuar me sistemet aktuale,” tha Sean Meenehan, drejtuesi i softuerit të tokës në projektin DSOC. “Komunikimi përmes lazerit në distanca kaq të mëdha është një përmirësim i shumënevojshëm dhe një arritje e madhe për komunikimet hapësinore.”
Sistemi DSOC përbëhet nga një transceiver lazeri i montuar në anijen kozmike Psyche – aktualisht rreth 300 milionë milje larg Tokës – dhe dy stacione tokësore. Njëra ndodhet në Table Mountain Facility të Laboratorit Jet Propulsion (JPL), e cila dërgon një rreze lazeri drejt Psyche-s, ndërsa anija e përdor atë sinjal për të dërguar me saktësi lazerin e saj në Observatorin Palomar të Caltech në Kaliforni.
Vetë fakti që ky proces funksionon është mbresëlënës, pasi as Psyche dhe as Toka nuk qëndrojnë të palëvizshme – të dyja lëvizin me shpejtësi të mëdha në hapësirë. Për më tepër, sinjali i lazerit, ndonëse udhëton me shpejtësinë e dritës, mund të marrë disa minuta për të arritur destinacionin e tij. Përdorimi i sistemit preciz të drejtimit të sinjaleve në Tokë dhe në fluturim bëri të mundur që ekipi i NASA-s të vërtetojë se komunikimet optike janë të realizueshme edhe në misione të largëta hapësinore.
“Misionet e ardhshme do të kërkojnë që astronautët të dërgojnë imazhe me rezolucion të lartë dhe të dhëna nga instrumentet shkencore nga Hëna dhe Marsi drejt Tokës,” deklaroi Kevin Coggins nga NASA. “Forcimi i komunikimeve tradicionale me radio me fuqinë dhe përfitimet e lazerit do të na lejojë të përmbushim kërkesat e reja të misioneve.”
Ky eksperiment shënon një hap të madh përpara në të ardhmen e komunikimeve ndërplanetare, duke hapur rrugën për një epokë të re të misioneve në thellësi të sistemit diellor. /Katror.info
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info