Agjencia amerikane e hapësirës (NASA) njoftoi se përpjekja e radhës për të nisur raketën pa pilot në Hënë do të bëhet në nëntor, pa caktuar ende një datë specifike për misionin tashmë të vonuar Artemis 1.
Sipas NASA-s, misioni vlerësohet të kryhet mes 12-27 nëntorit. Data e saktë do të përcaktohet nga ekspertët në ditët në vijim.
Misioni pa pilot në Hënë – Artemis 1 – tashmë është shtyrë dy herë, për shkak të rrjedhjeve të karburantit, në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit.
Artemis është programi i ri kryesor i NASA-s për të kthyer astronautët në Hënë. Ky mision do të zhvillohet për të verifikuar që kapsula Orion, në majë të raketës SLS, është e sigurt për transportin e ekuipazhit të ardhshëm.