Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) publikoi fotot e shpërthimit më të fuqishëm diellor në gjashtë vitet e fundit, një blic i zjarrtë në sipërfaqen e Diellit, 150 milionë kilometra larg, i cili ishte aq i fortë sa ndërpreu komunikimin me radio në disa pjesë të Tokës.
Duke përdorur Observatorin Dinamik Diellor, një anije kozmike e nisur në vitin 2010 që monitoron vazhdimisht aktivitetin e Diellit, agjencia regjistroi imazhe me ngjyra të ndezura të fenomenit të njohur si nxjerrja e masës koronale (CME), raporton Guardian.
Sipas NASA-s, ishte një flakërim diellor i klasës X me intensitetin më të lartë, me potencial për të ndikuar në radio komunikimet, rrjetet e energjisë, sinjalet e navigimit dhe të përbënte rrezik për anijen kozmike dhe astronautët.
Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor e Administratës Kombëtare të Atmosferës dhe Oqeanit të SHBA-së e quajti shpërthimin një ngjarje të pabesueshme dhe “ndoshta një nga ngjarjet më të mëdha diellore me ndikim në radio të regjistruar ndonjëherë”.
Qendra shton se shkencëtarët e saj po analizojnë efekte të tjera të CME “të vendosura mbi rajonin e largët veriperëndimor të diellit”.
Ishte shpërthimi më i fortë diellor i regjistruar që nga 10 shtatori 2017, tha qendra.
Shumica e ndezjeve diellore të klasës X që godasin Tokën vlerësohen midis një dhe nëntë, dhe ajo që ndodhi më 14 dhjetor u klasifikua si X8./Katror.info