Ministrja në detyrë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka bërë thirrje publike për ndërmarrjet vendore që të marrin pjesë në forumin biznesor Kosovë–Japoni, i cili do të mbahet më 18 nëntor 2025 në Prishtinë.
Në njoftimin e saj, Hajdari ka bërë të ditur se ky forum biznesor organizohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me JETRO (Japan External Trade Organization).
Ajo ka theksuar se qëllimi i këtij forumi është forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, përmes krijimit të lidhjeve mes bizneseve kosovare dhe japoneze, rritjes së investimeve të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, si dhe rritjes së eksporteve të produkteve vendore me vlerë për tregun ndërkombëtar.
“Në kuadër të këtij forumi biznesor, do të organizohen takimet B2B me fokus në sektorët si në vijim: sektori i përpunimit të metaleve, sektori i teknologjisë së informacionit (IT), sektori i energjisë dhe sektori i infrastrukturës,” ka bërë të ditur Hajdari.
Ministrja në detyrë ka ftuar ndërmarrësit vendor të interesuar që të aplikojnë për pjesëmarrje në këtë forum biznesor Kosovë–Japoni, në adresën elektronike [email protected]
Afati për aplikim është deri më 13 nëntor 2025, në orën 00:00.
Për aplikim dhe më shumë informacione, ndërmarrjet mund të vizitojnë faqen zyrtare të KIESA-së në: kiesa.rks-gov.net /Katror.info
















