(E përditësuar) 12:42
Kryetari i Kuvendit të Kosovës njoftoi ndërprerjen e diskutimeve, duke theksuar se “Senaca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve. Ftoj partitë që t’i bashkëngjiten që të mblidhemi dhe t’i kalojmë këto ligje.”
Basha: I gatshëm të ftojë opozitën në mbledhje të Kryesisë
Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Kosovës në hapje të seancës së jashtëzakonshme tha se në situata të jashtëzakonshme me mirëkuptimin e të gjitha grupeve parlamentare do të mund të gjendej zgjidhja. Ai ka thënë se është i gatshëm të thërrasë një seancë tjetër të jashtëzakonshme lidhur me votimin e buxhetit 2026.
Basha përmendi disa çështje, sipas tij, urgjente e që janë: 5 marrëveshje ndërkombëtare me vlerë deri në 1 miliard euro; buxhetin e vitit 2026, rreth 4 miliardë euro; buxhetet e tri komunave që po përballen me vështirësi të theksuara financiare; si dhe çështja e pagave të punëtorëve të RTK-së.
Kusari-Lila kritikon mungesën e opozitës në seancën e Kuvendit
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimosa Kusari-Lila, ka reaguar ndaj mungesës së opozitës në seancën e sotme të Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për funksionimin institucional bie mbi të gjithë deputetët. Ajo ka theksuar se formimi i komisioneve parlamentare është detyrë e grupeve parlamentare dhe jo e qeverisë, ndërsa opozita po shmang detyrimet e saj.
Kusari-Lila tha se më e lehta është që të abstenohet ose të mos vihet fare, “siç kanë bërë fatkeqësisht përfaqësuesit e grupeve tjera parlamentare, deputetët nga PDK, LDK, AAK, nga Nisma Socialdemokrate dhe një grup tjetër parlamentar”.
“Megjithatë, kjo nuk ua heq përgjegjësinë që e kanë dhe mund ta kenë në formimin e komisioneve të përhershme parlamentare.”
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përgjegjësisë së deputetëve ndaj qytetarëve: “Ajo çka për ne është shumë e rëndësishme sot është të marrim përgjegjësinë për detyrën e deputetit që e kemi, ta ushtrojmë atë përgjegjësi me nder, por edhe me obligimin që qytetarë e këtij vendi na kanë dhënë”, tha ajo.
Kusari-Lila bëri të qartë se formimi i komisioneve parlamentare nuk është kompetencë e qeverisë, por rezultat i bashkëpunimit mes grupeve parlamentare sipas forcës politike të fituar në Kuvend.
Rexhepi: Sot është koha për përgjegjësi dhe votim të buxhetit të Kosovës
Deputetja nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi, ka marrë pjesë në seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së deputetëve për miratimin e ligjeve dhe buxhetit të shtetit. Ajo ka theksuar se grupi parlamentar multi-etnik, që përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve boshnjak, egjiptian, rom dhe të tjerë, është i gatshëm të votojë projektligjet, marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili është rritur mbi katër miliardë euro.
Rexhepi tha se është koha për të hapur rrugën dhe për të formuar komisionet parlamentare, duke shtuar se miratimi i buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, sistemin shëndetësor dhe arsimor të qytetarëve. Ajo po ashtu konfirmoi përkrahjen e grupit të saj për kandidatin për kryetar, Konjufcen.
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës në këtë seancë, do të jetë çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026.
Në këtë seancë po marrin pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, LVV, Guxo, Alternativa, derisa partitë tjera opozitare, nga PDK, LDK, AAK e Nisma, sikundër kanë deklaruar nuk po marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.
Tutje deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Rendi i plotë i ditës është si vijon:
Formimi i komisioneve parlamentare:
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” – forcimi gjithëpërfshirës i sistemit të shëndetësisë;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;
Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;
Çështja e financimit të RTK-së;
Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas thirrjes së dy seancave për të mërkurën. Kjo parti thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet për disa komuna e për RTK-në.
Po ashtu Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar për RTK se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit.
Edhe NISMA Socialdemokrate njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të thirrur në orën 11:00. Ky subjekt politik ka thënë se seanca është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike.
Kurse Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, dje, u bën thirrje deputetëve të marrin pjesë në seancë sotme të jashtëzakonshme dhe të votojnë ligjet e rëndësishme për buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare./RTK/Katror.info
















