Sot në Prishtinë nis Muaji Evropian i Filmit. Me këtë rast, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) përkujton regjisoren Arzana Kraja, në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta.
Nga ora 19:30, QKK-ja organizon shfaqjen e filmit të gjatë artistik të regjisores “Fusha e Mëllenjave”, i cili në këtë rast do të hapë Muajin Evropian të Filmit, që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal Kino Armatën.
Kontributi i rëndësishëm i regjisores në kinematografinë kosovare manifestohet me një mori veprash artistike, si autore e filmave të shkurtër, dokumentarëve, realizimeve të shumta televizive dhe filmit të metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave”.
Alush Gashi, drejtor i Kino Armata-s ka thënë se ky muaj i filmit mbahet me iniciativë të Akademisë Evropiane të Filmit, ku Kino Armata është pjesë e rrjetit prej 35 kinemave të ndryshme evropiane.
Muaji i filmit evropian mbahet nga 13 nëntor deri më 10 dhjetor, me ç’rast do të shfaqen filma evropian nga 35 kinema të vendeve të ndryshme.
Ndërsa më 10 dhjetor mbahet ceremonia e 35-të të ndarjes së Çmimeve Evropiane të Filmit që mbahet Reykjavik në Islandë.