Në Malishevë është përuruar nënkalimi dhe parkingu nëntokësor, dy projekte të cilat pritet të lehtësojnë qarkullimin dhe të përmirësojnë infrastrukturën në qendër të qytetit.
Në ceremoninë e organizuar të premtën morën pjesë shumë qytetarë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe figura politike, mes tyre edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Gjatë fjalës së tij, Limaj e cilësoi këtë investim si një transformim të rëndësishëm për qytetin dhe uroi qytetarët e Malishevës për përfitimet që do të sjellin këto projekte. Ai tha se për këto ndryshime merita i takon kryetarit të komunës, Ekrem Kastratit.
“Urime Malishevë për këto projekte gjigante që kanë transformuar përjetësisht jetën e qytetarëve. Ndihem i lumtur kur shoh fëmijët, gratë dhe vajzat që shëtisin lirshëm në bulevardin e dëshmorit të kombit, Ibrahim Mazreku. Kënaqem kur fëmijët e mërgimtarëve vijnë në Malishevë dhe nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë qytetit, duke dalë e shëtitur e shijuar bukuritë e qytetit të tyre. Malisheva është shndërruar në një qytet urban dhe për këtë meritat i takojnë Ekrem Kastratit” u shpreh Limaj.
E kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati falënderoi kreun e Nismës, Fatmir Limaj për mbështetjen dhe mërgimtarët e kësaj komune që çdo vit vijnë dhe investojnë në vendlindje.
“Falënderoj qytetarët e Malishevës që kanë pasur durimin e kurajën që të na mbështesin në këtë projekt. Kemi vendosur që Malishevën ta bëjmë urbane dhe ta bëjmë një qytet të së ardhmes. Pjesëmarrja juaj na motivon që të vazhdojmë ta zhvillojmë komunën e Malishevës, ashtu siç kanë dashur vetë dëshmorët dhe familjarët e tyre”, tha ai./RTK/Katror.info