Një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës vjen në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit me PriFest. Këtë vit këtë fat e ka filmi “Nën Ninullë” i cili do të shfaqet si projeksion special në ditën e fundit të festivalit, duke u bërë pjesë e programit zyrtar, shkruan PriFest.
Në po të njejtën ditë, studentët do të kenë rastin të marrin pjesë në një workshop ekskluziv me ligjërues të njohur të industrisë ndërkombëtare të filmit si Mike Downey, Antonio Saura, Ingvar Sigurdsson dhe John Durie, ndërsa sesioni do të moderohet nga profesori Ismet Sijarina.
Nën Ninullë nga Majlind Beluli, Kosovë/ Premierë (12 min).
Ajsha, një grua 30-vjeçare që jeton në një qytet të vogël, lufton çdo ditë për të gjetur një punë të ndershme për të mbështetur djalin e saj të vogël, Aronin. Ndërkohë, burri i saj, Besniku – i dhunshëm, i varur nga alkooli dhe i papunë – përfaqëson barrën që shtyp çdo përpjekje që ajo bën për t’i shpëtuar baltës. E përballur me dyer të mbyllura dhe refuzime të panumërta, Ajsha e gjen veten më afër një rruge të errët: ajo takon Artanin, një burrë të martuar i cili i ofron pak vëmendje, ngrohtësi dhe ndihmë financiare.
Me regji dhe skenar nga Majlind Beluli e producente Rrezarta Rashiti, në film luajnë aktorët Qendresa Jashari, Allmir Suhodolli, Kreshnik Malushaj, Etion Ibrahimi.
Edicioni i 17-të i PriFest do të mbahet nga 9 deri më 14 shtator 2025, në Kino Armata, Prishtinë./ Katror.info