Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë, Kiril Vatev.
Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i marrëdhënieve miqësore dhe angazhimit për ruajtjen e partneriteteve me vendet e Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij memorandumi synojmë që ta intensifikojmë bashkëpunimin në fushat me rëndësi si: ushqimi, blegtoria, kultivimi i bimëve, kultivimi i hardhisë dhe prodhimit të verës, zhvillimi rural, peshkimi dhe akuakultura, bimët mjekësore dhe bujqësia organike”, ka thënë ministri Faton Peci.
Ai tutje ka shtuar se do të realizohen edhe hulumtime, trajnime, si dhe do të ndahen ekspertiza e eksperienca në teknologjinë bujqësore me qëllim të ngritjeve të kapaciteteve humane.

Ndërsa homologu i tij, ministri bullgar, Kiril Vatev, tha se është i bindur që do të kenë marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetin e Kosovës, jo vetëm në fushën e bujqësisë por edhe në fusha të tjera, përcjell Ekonomia Online.

“Jam i lumtur që vizitoj së pari Kosovën si ministri i parë bullgar. Jam i bindur që do kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme, jo vetëm në bujqësi por edhe në fushat tjera. Besoj që do largohemi me më shumë optimizëm”, tha ai.
Në këtë takim të përbashkët, Ministri Peci dhe homologu i tij bullgar, Kiril Vatev kanë diskutuar edhe për koordinimin e politikave zhvillimore në rrafshin ndërkombëtar, si dy vende mike./Katror.info