Besnik, mbrojtës e gjithmonë i lumtur që ju sheh, qeni është shoqërues i njeriut për më shumë se 18,000 vjet, duke e bërë atë një nga kafshët e para të zbutura në histori.
Shkencëtarët kanë prova që qentë na bëjnë të qeshim më shumë se macet, na mbajnë më aktivë se shoqëria jonë dhe madje reduktojnë shanset për depresion.
Nëse ki nevojë për fakte ma bindëse, ose ke nevojë me bind dikë tjetër në familje, gjej më poshtë disa fakte të mbështetura nga shkenca se pse ti duhesh me pas një qen në jetën tënde.
Qentë na bëjnë të qeshim
Njerëzit që kanë qen qeshin më shumë, sipas një studimi të botuar në revistën Society & Animals. Studiuesit u kërkuan njerëzve që kishin qen, mace, të dyja ose asnjërën, të regjistronin sa shpesh qeshin gjatë një dite. Ata që kishin vetëm qen dhe qen dhe mace regjistruan të qeshura më shumë se dy grupet e tjera.
Qentë janë besnikë
Origjina e qenit të sotëm vjen mes 18,800 dhe 32,100 vjet më parë, kur ata evoluan nga ujqërit. Ujqërit janë të njohur për jetën në tufa dhe zhvillimin e lidhjeve të forta midis anëtarëve të tufës. Është kjo sjellje e tufës që i bën qentë e sotëm kaq besnikë.
Stephen Zawistowski, një këshilltar shkencor në Shoqatën Amerikane për Parandalimin e Mizorisë ndaj Kafshëve, shpjegon se qentë i shohin pronarët e tyre njerëzorë si anëtarë të tufës së tyre dhe krijojnë të njëjtën lidhje të ngushtë me pronarët e tyre siç do të bënin me familjen e tyre.
Ne jemi më socialë me një qen
Në Mbretërinë e Bashkuar, një ekip shkencëtarësh në Universitetet e Liverpool dhe Bristol zbuluan se banorët me qen kishin më shumë gjasa të takonin qen dhe pronarë të tjerë se sa njerëz që nuk kishin qen. Kjo ka kuptim, pasi pronarët e qenve kanë më shumë gjasa të dalin nga shtëpia në shëtitje dhe të përplasen me pronarë të tjerë qensh në shëtitjet e tyre.
Qentë na mbajnë të shëndetshëm
Qentë madje mund të na mbrojnë nga shëndeti i dobët. Fëmijët e lindur në familje me qen kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të astmës dhe alergjive, arsyeja është pluhuri.
Një studim i botuar në vitin 2013 tregoi se kur minjtë u ekspozuan ndaj pluhurit në shtëpitë ku qentë lejoheshin brenda dhe jashtë, ata zhvilluan një ndryshim të mikrobeve në zorrët e tyre që mbrojnë kundër alergjive. Është raportuar se këto mikrobe mund të jenë ato që i mbrojnë fëmijët e vegjël nga zhvillimi i alergeneve në familjet që kanë qen.
Ne jemi më aktivë me qentë
Obeziteti është një shqetësim i madh sot, ndaj është e rëndësishme të bëni ushtrime të rregullta. Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Michigan raportuan në vitin 2011 se 60% e pronarëve që i qesin qentë e tyre për shëtitje të rregullta plotësojnë kriteret federale për ushtrime të rregullta të moderuara ose të fuqishme.
Një studim tjetër tregon se të moshuarit që ecin me qentë e tyre kanë një rutinë më të rregullt ushtrimesh dhe janë më të aftë fizikisht sesa të moshuarit që ecin me njerëz të tjerë.
Qentë shpëtojnë jetë
E dimë se qeni nuk është shoku më i mirë i maceve, por në fillim të këtij viti një mace me fat në Florida u shpëtua nga një transfuzion gjaku I dhënë nga një qen. Disa qen kanë një lloj gjaku dhuruesi universal, ashtu si disa njerëz, dhe kur nuk kishte gjak maceje për ‘Buttercup’, veterineri përdori atë që kishte në dorë, gjë që thuhet se i shpëtoi jetën maces.
Qentë gjithashtu mund të ndihmojnë njerëzit duke vepruar si një sistem paralajmërimi i hershëm për pacientët që vuajnë nga krizat konvulsive apo epilepsia. Qentë e stërvitur mund ta ndjejnë fillimin e një krize deri në 15 minuta përpara se të ndodhë dhe do të lehin kur ajo të ndodhë.
Qentë na japin një sens qëllimi
Qentë janë shoqërues të shkëlqyeshëm për këdo, por veçanërisht për të moshuarit. Në një studim të botuar në ‘Journal of Social Psychology’, të moshuarit që kishin një qen raportuan se ndjeheshin më të kënaqur me gjendjen e tyre sociale, fizike dhe emocionale sesa ata pa qen.
Qentë na japin besim
Në një studim tjetër, pjesëmarrësit morën një qen dhe u vlerësuan pas 10 muajsh. Në përgjithësi, pjesëmarrësit raportuan një ndjenjë më të lartë të vetëvlerësimit, zakone të përmirësuara të stërvitjes dhe më pak frikë nga krimi.
Qentë vërtet na bëjnë të lumtur
Vetëm akti i thjeshtë i kontaktit me sy me mikun tuaj ma të mirë mund të ç’lirojë kimikatin ‘oksitocinë’ që ju bën të ndjeheni ma mirë. Një studim që mati nivelet e oksitocinës nga dy grupe pronarësh qensh, grupi që u udhëzua të mos shikonte drejtpërdrejt qenin e tyre kishte nivele më të ulëta të oksitocinës sesa grupi tjetër që bënte kontakt të rregullt me sy.
Një tjetër studim zbuloi se pronarët e qenve që mbështeteshin te qentë e tyre për përmbushjen sociale raportuan se ‘ata ishin më pak të depresionuar, më pak të vetmuar, kishin vetëbesim më të lartë, ishin më të lumtur dhe prireshin të përjetonin më pak stres.’
Përfitimet shtesë
- Njerëzit shërohen më shpejt nga sëmundjet dhe madje kanë shkallë më të lartë të mbijetesës pas një ataku në zemër nëse kanë një qen.
- Fëmijët që kanë një mik qen kanë më pak ditë pushimi nga shkolla për shkak të sëmundjes.
- Fëmijët me sëmundje kronike shpesh e përballojnë më mirë trajtimin kur kanë një shoqërues qeni.
- Qentë na ofrojnë një ndjenjë të mirëqenies emocionale falë dashurisë së pakushtëzuar që japin, kjo është arsyeja pse ata janë gjithashtu shoqëri dhe rehati e madhe për njerëzit që jetojnë vetëm.
- Zotërimi i një qeni mund t’i ndihmojë njerëzit të shërohen nga trauma personale, siç është humbja.
- Qeni ndihmon personat me probleme të shëndetit mendor të shërohen dhe të ndihen më mirë.
Përgjegjësia
Dihet që të kesh një qen pranë vetës është përvojë e mrekullueshme… Vetëm sigurohu që të jesh gati për përgjegjësinë! Nëse veçse kemi arrit me të bind për benefitet e qenit në jetën tënde, përpara se të blini një, merrni si opsion adoptimin e një qeni për disa javë për të kuptuar më mire se ku qëndron.
Në krye të të gjitha këtyre përfitimeve serioze të qenve, ata janë gjithashtu shumë argëtues dhe dhurojnë DASHURI PA FUND. Ata gjithmonë na bëjnë të qeshim, ata janë aty në fund të një dite të vështirë dhe gjithmonë do të jenë gati për një përqafim qetësues kurdo që keni nevojë!/Katror.info