Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë se afati për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova përfundon më 3 tetor 2025, në ora 23:59.
Ky është njoftimi i fundit për të gjithë ata që ende nuk e kanë përfunduar aplikimin, pasi pas këtij afati, aplikimet nuk do të pranohen dhe platforma do të mbyllet nga 4 tetori 2025, në ora 00:00.
Që nga hapja e platformës më 15 gusht 2025, janë pranuar gjithsej 203,865 aplikime, prej të cilave 200,679 janë trajtuar; 195,343 janë aprovuar, 5,336 janë refuzuar, ndërsa 3,186 aplikime mbeten në proces verifikimi.
Platforma do të mbetet e qasshme vetëm për koordinatorët komunalë dhe shkollorë deri në përfundim të trajtimit të aplikimeve të mbetura.
MAShTI inkurajon të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë që nuk kanë aplikuar ende, të përfundojnë aplikimin brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që fëmijët e tyre të përfitojnë nga subvencionimi i teksteve shkollore dhe materialeve mësimore./Katror.info