New Orleans është një qytet i njohur për Mardi Gras-in, muzikën jazz dhe kulturën unike që bashkon ndikime amerikane, evropiane dhe afrikane.
Kur përmendet New Orleans, mendja shkon menjëherë te Mardi Gras – karnavalet madhështore, ngjyrat e ndezura, maskat dhe paradat e pafundme. Por ky qytet i veçantë i Luizianës është shumë më tepër se një destinacion i festës.
Në çdo rrugë e çdo lagje ndihen ndikimet historike dhe kulturore që e kanë bërë atë një prej qyteteve më unike në Shtetet e Bashkuara.
French Quarter, zemra historike e New Orleans-it, është një përvojë më vete. Rrugicat me kalldrëm, arkitektura koloniale spanjolle e franceze, dritaret me hekur të farkëtuar dhe sheshet e vogla krijojnë atmosferën e një muzeu të gjallë.

Këtu nuk mungon as ritmi i pandërprerë i muzikës jazz, që shpikur pikërisht në këtë qytet, e që ende tingëllon çdo mbrëmje nga klubet e vogla apo nga Preservation Hall, një nga sallat më ikonike ku interpretojnë muzikantët.
Por New Orleans nuk është thjesht muzikë dhe festë. Ai është edhe qyteti i kuzhinës unike, ku recetat Cajun dhe Creole janë kthyer në identitet kulturor. Jambalaya, gumbo, supa e breshkës dhe peshku i mbuluar me arra pekan janë vetëm disa nga shijet që vizitorët nuk duhet t’i humbasin.
Qyteti të kujton se edhe e shkuara ka vendin e vet. Muzeu Kombëtar i Luftës së Dytë Botërore është një prej institucioneve më mbresëlënëse në SHBA, duke treguar historinë e konfliktit botëror përmes teknologjisë moderne dhe rrëfimeve personale prekëse.
Ndërkohë, varrezat e New Orleans janë një atraksion më vete. Për shkak të terrenit, varret janë ndërtuar mbi tokë, duke krijuar një peizazh unik ku çdo gur e çdo monument mbart histori të veçanta.

Një tjetër përvojë e paharrueshme është udhëtimi me Steamboat Natchez mbi lumin Misisipi. Ky udhëtim të çon pas në kohë, duke ofruar pamje të jashtëzakonshme të skyline-it të qytetit dhe një ndjesi nostalgjie për periudhën kur anijet me avull ishin pjesë jetike e jetës amerikane.
Nëse dikush kërkon art dhe kulturë bashkëkohore, Warehouse District dhe City Park janë adresa të domosdoshme. Galeritë e vogla të artit, muzeu i madh i qytetit dhe kopshti i skulpturave moderne japin një kontrast interesant mes së kaluarës dhe të tashmes. Dhe për ata që kërkojnë gjallëri, Frenchmen Street është vendi ku muzika live, klubet e vogla dhe atmosfera e lirshme krijojnë net të paharrueshme.
New Orleans është edhe qyteti i festave që nuk ndalen kurrë. Përveç Mardi Gras-it, gjatë vitit mbahen festivale të muzikës jazz, të ushqimit dhe kulturës afrikano-amerikane, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur që nuk mbyllet asnjëherë. /AP/Katror.info