Nga sot qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve solare fotovoltaike për konsum familjar me kapacitet deri në 7 kilovat. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ MMPH Nr.08/2013 për ndërtime.
“Në kuadër të punës sonë për Dekarbonizim dhe në përputhshmëri me Acquis të BE-së, kemi bërë Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ MMPH Nr. 08/2013 për Ndërtimet për të cilat nuk kërkohet leje ndërtimore, rrjedhimisht, qytetarët nuk do të kenë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve solare fotovoltaike për konsum familjar, me kapacitete të instaluara deri në 7 kilovat,” thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.
Ministria e Planfikimit Hapësinor gjithashtu ka njoftuar se me ndryshimin e rregullores për ndërtimet “vendosja e termoizolimit në muret e jashtme të shtëpive familjare ekzistuese, por të cilat nuk e ndryshojnë dukjen/fasadën dhe nuk bien ndesh me nenin 14 nën-paragrafi 1.5 të Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim”.
Në të kaluarën, për vendosjen e paneleve solare në shtëpi është dashur që të lëshohet leje nga komuna. Është dashur të plotësohen pesë kërkesa për ndërtimin e paneleve solare në shtëpi./Katror.info