Porto Palermo Festival u rikthye këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt, ndërsa pritet të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi momente nga nata e parë e festivalit që mbahet në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë historike.Mbrëmja e parë e Festivalit Porto Palermo, edicioni 4, hapi siparin e netëve artistike që mbahen në kalanë historike me ikonat e muzikës jazz Elina Duni dhe Eda Zari, shoqëruar nga Rof Luft dhe organizatori Olen Cesari.“
Artistet e mirënjohura u bënë bashkë në një performancë unike dhe të sinkronizuar për t’i dhënë çdo të pranishmi një eksperiencë të paharrueshme këtë natë vere”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve, shkruan Gazeta Tema.Në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari.
Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj.
Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.
Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. /Katror.info