Ka nisur shpërndarja e protezave të gjirit dhe sytjenave për gratë që kanë kaluar përvoja me kancerin e gjirit, në Klinikën e Onkologjisë. Ky aktivitet organizohet në kuadër të Muajit Rozë, një periudhë kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe mbështetjes së grave që po përballen me këtë sëmundje.
Pajisjet po shpërndahen në zyrën e fizioterapeutës së klinikës, dhe çdo grua që ka nevojë mund t’i marrë çdo ditë pune, nga e hëna në të premte, nga ora 8:00 deri në ora 10:00. Shpërndarja synon të lehtësojë jetën e grave pas trajtimeve mjekësore dhe të ofrojë mbështetje fizike dhe morale.
Ky donacion i veçantë është realizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në bashkëpunim me Shoqatën “Jeta Vita”. Iniciativa vjen si një shenjë solidariteti dhe përkujdesjeje për gratë që kanë kaluar trajtime kundër kancerit të gjirit, duke u ofruar atyre mundësinë për t’u ndjerë më rehat dhe të sigurt në jetën e përditshme.
Përfitueset e shpërndarjes mund të kontaktojnë Klinikën e Onkologjisë për çdo informacion shtesë lidhur me procesin e marrjes së protezave dhe sytjenave./Katror.info