Në Strasburg të Francës kanë nisur punimet e Komitetit Politik në kuadër të Këshillit të Evropës ku do të diskutohen amendamentet e propozuara për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në këtë Komitet do të diskutohet edhe amendamenti i Italisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Aktualisht janë gjithsej 16 amendamente që pritet të diskutohen e të hidhen në votim, ku shumica prej tyre janë nga pala serbe.
Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar të gjitha amendamentet e dëmshme për Kosovën, që janë paraqitur nga deputetë të ndryshëm për raportin e raportueses Dora Bakoyannis, kanë bërë të ditur burime të KOHËS nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Disaporës (MPJD).
Shumica e amendamenteve të propozuara për Kosovën në KiE lidhen me Asociacionin. Në një amendament disa deputetë serbë kanë rekomanduar që paragrafi 11 që parasheh se Asociacioni të jetë zotim i Kosovës pas anëtarësimit, të zëvendësohet me paragrafin që e konsideron formimin e Asociacionit si parakusht, shkruan KOHA.
Në amendamentin e propozuar nga deputetë italianë, propozohet që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.