“Një mbret mund të jetë pjesa më e rëndësishme në tabelën e shahut, megjithatë, mbretëresha është më e fuqishmja”, kjo është vetëm një nga qindra thëniet për lojën e shahut, e që brenda saj ka barazinë gjinore, e mbi të gjitha fuqinë e vajzave dhe të grave.
Nita Saraçi nga Mitrovica, është sinonim i suksesit, një shembull që duhet ndjekur nga të gjitha gratë e vajzat, që të zhvillojnë pasionet e tyre dhe të mos ndalen asnjëherë, por ti ndjekin ëndrrat e tyre.
Vetëm pak kohë më parë, znj. Saraçi, është bërë instruktorja e parë e licencuar e shahut në Kosovës e kjo është vetëm një nga sukseset e shumta të saj në shah.
Në një intervistë për Radio KFOR-it, znj Saraçi ka treguar kur ka filluar që të merret me lojën e shahut: “Sukseset më kulminante në sportin e shahut, kanë qenë kur për herë të parë jam shpallur Kampione e Kosovës për Junior, në vitin 2008. Po ashtu në vitin 2018, ka qenë hera e parë që reprezentacioni i Kosovës për femra, ka marr pjesë në Olipiadën e Shahut në Batumi të Gjeorgjisë, ku edhe kemi arritur që të shpërblehemi me medalje të artë olimpike, në kategorinë E. Në vitin 2019, kemi arritur që të shpallemi Kampion me klubin e shahut Trepça (Femrat), në Kampionatin ekipor të Kosovës. Ndërsa, tituj të tjerë që i posedoj në shah janë: FA – FIDE Arbiter, IO – International Organizer, NI – National Instructor. Titulli NI – National Instructor ka qenë një arritje shumë e madhe për mua, por edhe për shahun kosovar në përgjithësi. Një nga arsyet është se në këtë trajnim kanë ligjëruar trajnerë me renome botërore, ku njëra ndër to ka qenë edhe ish-kampionia e botës në shah, njëkohësisht dhe numri një i botës për femra, Hou Yifan. Gjithashtu ka qenë privilegj dhe nder për mua të jem pjesë e këtij trajnimi ku arrita me shumë sukses të fitoj titullin NI dhe të jem shahistja e parë femër nga Kosova, që e posedon këtë titull”.
Nita Saraçi, e cila aktualisht është anëtare e kryesisë në Federatën e Shahut të Kosovës, anëtare e përfaqësueses së Kosovës dhe zëvendës selektore për femra, përmes frekuencave të Radio KFOR-it pati një mesazh për të gjithë, veçanërisht për vajzat dhe gratë: “I ftoj gjithë të rinjtë e sidomos vajzat dhe gratë, të merren me lojën e shahut, pasi shahu është për të gjithë, pa dallim moshe dhe gjinie. Gjithashtu sipas shumë studimeve, është vërtetuar se shahu ju ndihmon në shumë sfera të jetës. Dua ta permbyllë me moton e ECU – European Chess Union “Play Chess, Chess makes you smarter”.
Znj. Nita Saraçi, është njëra nga shumë vajza e gra kosovare, që janë bërë frymëzim i shoqërisë dhe shembuj që duhet ndjekur./Katror.info