Një nga sfidat kryesore në procesin e trajtimit të kancerit është zbulimi dhe ndalimi i përhapjes së tij në të gjithë trupin e njeriut, pra shfaqja e metastazave. Një zbulim i bërë nga shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë Jugore mund ta ndryshojë këtë.
Gjegjësisht, në studimin e tyre të publikuar në PNAS, ata zbuluan një nga mekanizmat themelorë me anë të të cilit përhapet kanceri. Dhe kur e dimë se si funksionon gjithçka, ne mund të kuptojmë më lehtë se si ta ndalojmë atë.
Siç thonë ata në studimin e tyre, çelësi i këtij procesi të sapo zbuluar është proteina chaperone, GRP78. Është një proteinë që ndihmon në përcaktimin nëse proteinat më të mëdha janë biologjikisht aktive dhe funksionale ose joaktive dhe jofunksionale. Qelizat e kancerit, zbuluan ata, mund të “rrëmbejnë” GRP78 dhe ta përdorin atë për t’u përhapur më tej në të gjithë trupin dhe për të shmangur medikamentet, shkruan Katror.info.
Ata theksojnë se kjo ndodh sepse proteina migron kur është nën stres.
Është një surprizë e plotë të shohësh GRP78 në bërthamën që kontrollon shprehjen e gjeneve, thekson Amy Lee, një biokimiste dhe biologe molekulare nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, e cila drejtoi studimin. Kur bëhet fjalë për mekanizmat bazë të qelizave kancerogjene, kjo është diçka e re që, me sa di unë, askush nuk e ka vënë re më parë, theksoi ajo.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm që bënë studiuesit ishte se si GRP78 lidhet ose ndërvepron me një proteinë tjetër qelizore, ID2. GRP78 duket se parandalon ID2 të bëjë punën e saj normale, gjë që kufizon aktivitetin e gjeneve të përfshira në migrimin e qelizave.
Tani që shkencëtarët e dinë se si qelizat e kancerit përhapen nëpër trup, ata mund të jenë në gjendje të zhvillojnë një mënyrë për ta parandaluar atë. Për shembull, duke ndaluar ose bllokuar proteinat që i përhapin ato.
Por për të arritur në atë fazë, do të nevojiten më shumë kërkime.
Ky është një koncept i ri, thotë Lee. Vetë proteina është ushtari që bën punën, por tani mendojmë se nuk ka të bëjë vetëm me ushtarin, por edhe me vendin ku është vendosur ushtari./Katror.info