Po bëhen përgatitjet e fundit për hapjen e planetariumit të parë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur nga astronomja kosovare, Pravera Hyseni.
“Sonte, ekipa jonë ka kryer provën e parë të projektorit me pasqyrën hemisferike në kupolën tonë të planetariumit. Procedura e instalimit kërkon montimin e një platforme për të mbështetur pozicionin ideal për të dya pajisjet, duke marrë në konsideratë lakoren e kupolës, gjatësinë fokale të pasqyrës, dhe këndin optimal për projeksionin.”
“Për të reduktuar reflektimin e panevojshëm dhe për të rritur kontrastin, planifikojmë mbulojmë pjesën e sipërme të pasqyrës me material të zi. Këto masa do të ndihmojnë në krijimin e një ambienti të errët në pjesën e pasme të pasqyrës sferike, duke parandaluar dritat e tepërta që mund të ndërhyjnë me imazhet e projektruara, duke siguruar një shfaqje të qartë dhe mbresëlënëse për audiencën, “ ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka falenderuar mikun në SHBA, Jack Dunn, për sigurimin e të gjitha pajisjeve për funksionalizimin e planetariumit.
Sipas Hysenit, Planetariumi që gjendet në Shtime do të hapet për vizitorë në muajin qershor.
Astronomja kosovare Pranvera Hyseni, e cila aktualisht po kryen studimet e saj të doktoratës në Astronomi Planetare në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz të SHBA-së, ka paralajmëruar sjelljen e një teleskopi diellor në Kosovë.
Hyseni ka zbuluar se teleskopi diellor është i dizajnuar për vëzhgimin e Diellit, pasi përfshin filtra specifikë që bllokojnë rrezet e dëmshme dhe mundësojnë një shikim të sigurt të yllit më të madh.
Teleskopi, i cili do të instalohet në observatorin e ri në Shtime, sipas saj është një nga më të mëdhenjtë në Gadishullin Ballkanik, si dhe pritet të jetë një shtesë e rëndësishme për komunitetin shkencor dhe edukativ të rajonit./Katror.info