Kompania OpenAI ka publikuar një raport të ri ku parashikon se deri në vitin 2028, inteligjenca artificiale (AI) do të arrijë të bëjë zbulime shkencore të rëndësishme, duke transformuar fusha si mjekësia, arsimi dhe zhvillimi i barnave.
Sipas kompanisë, përparimi i shpejtë i AI-së ka kaluar tashmë fazën e “chatbotëve” dhe sistemet moderne tashmë mund të zgjidhin probleme komplekse më mirë se njerëzit më të aftë.
Megjithatë, shumica e përdoruesve e shohin ende AI-në si një mjet komunikimi apo kërkimi.
“Diferenca midis mënyrës se si njerëzit e përdorin AI-në sot dhe asaj që ajo mund të bëjë realisht është e jashtëzakonshme”, – thuhet në raport.
OpenAI vlerëson se deri në vitin 2026, sistemet do të jenë në gjendje të bëjnë zbulime të vogla, ndërsa pas vitit 2028 ato do të kenë kapacitetin për zbulime të mëdha, që më parë do t’u duheshin shekuj njerëzimit për t’i arritur.
Përfitime dhe rreziqe
Sipas OpenAI, AI do të ndihmojë njerëzit të kuptojnë më mirë shëndetin, të përshpejtojë zhvillimin shkencor dhe të ofrojë arsim të personalizuar në gjithë botën.
Megjithatë, kompania paralajmëron për rreziqe të mëdha që lidhen me zhvillimin e superinteligjencës, duke theksuar se askush nuk duhet të përdorë sisteme të tilla pa siguruar që janë plotësisht të kontrollueshme dhe të sigurta.
OpenAI kërkon bashkëpunim mes laboratorëve kryesorë të AI-së për të ndarë standarde sigurie, për të forcuar mbikëqyrjen publike dhe për të ndërtuar një “ekosistem qëndrueshmërie ndaj AI-së”, të ngjashëm me sistemet e sigurisë kibernetike që mbrojnë internetin sot.
Një e ardhme me AI për të gjithë
Sipas raportit, AI do të bëhet një shërbim bazë për shoqërinë, në të njëjtin nivel me energjinë elektrike apo ujin e pijshëm.
“Qëllimi është që njerëzit të përdorin inteligjencën artificiale për të përmirësuar jetën e tyre, jo vetëm për ta bërë atë më efikase”, – theksohet në deklaratë.
OpenAI beson se pavarësisht ritmit të shpejtë të zhvillimeve, jeta e përditshme do të vazhdojë me pak ndryshime të menjëhershme, por ndikimi i AI-së do të ndihet thellë në mënyrën si mësojmë, punojmë dhe zhvillohemi si shoqëri. /Katror.info
















