Skena e Muzikës Serioze Shqiptare sonte zhvillon edicionin e dymbëdhjetë me radhë përmes një koncerti në sheshin e Gostivarit, i cili fillon në orën 20:30.
Ky është një event i ngritur mbi ideale të shëndosha artistike, i cili gjatë aktivitetit njëmbëdhjetëvjeçar kishte të pranishëm figurat dhe ansamblet më të spikatur të muzikës klasike shqiptare dhe më gjerë, si Ermonela Jaho, Inva Mula, Petrit Çeku, Shkëlzen Doli, Ramë Lahaj, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Genc Tukiçi dhe shumë të tjerë.
Rreth orkestrës të këtij edicioni
WBYO Accelerando është një projekt i mbështetur nga BE për të çuar përpara zhvillimin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor (WBYO), e cila është një orkestër profesionistësh të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor.
Orkestra u themelua në vitin 2019 nga Desar Sulejmani, dirigjent, pianist dhe vizionar gjerman me origjinë shqiptare. Ideja e tij është që pas orkestrës të bashkojë të rinjtë e rajonit, duke thyer barrierat dhe duke nxitur paqen afatgjatë, duke shfaqur zhanre nga muzika klasike në pop dhe rock. Platforma për muzikantët e rinj do të funksionojë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore, duke kontribuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik, transmeton portalb.mk.
Për projektin e Verës 2024, të quajtur “WB Go Pop & Rock” hapën rreshtat për muzikantë nga 17 vende të ndryshme. Ka muzikantë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, vendet e tyre fqinje, vendet anëtare të BE-së dhe jashtë saj. Nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Holanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Romania, Rusia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia. Hyrja në koncert është pa pagesë./Katror.info