Shkuarja në zgjedhje të parakohshme, për të cilën presidentja Vjosa Osmani pritet të vendosë brenda dy ditësh, mund ta lërë shtetin pa buxhet funksional nga 1 janari i vitit 2026. Në mungesë të miratimit të buxhetit të ri ose të zgjatjes së Ligjit aktual, asnjë pagesë nga Thesari nuk mund të bëhet, duke paralizuar të gjitha institucionet publike.
Shkuarja eventuale në zgjedhje të parakohshme, për çka presidentja Vjosa Osmani pritet të vendosë brenda dy ditësh, rrezikon ta bllokojë kuletën e shtetit.
Nga 1 janari i 2026-tës, asnjë pagesë nga buxheti i shtetit nuk do të mund të realizohet, nëse Kuvendi nuk miraton buxhetin për 2026 ose zgjatjen e afatit të buxhetit aktual për tre muajt e parë të vitit.
Ani se presidentja, Vjosa Osmani, para katër ditësh deklaroi se në mungesë të një konsensusi nga partitë politike do t’i kërkojë Kuvendit zgjatjen e buxhetit, gjatë së hënës nuk është përgjigjur nëse do ta bëjë një gjë të tillë.
Ligji për menaxhimin e Financave publike parasheh që vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal dhe se Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre (3) muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
“Nëse zgjatja e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni ose në një vendim të Kuvendit të miratuar në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni ka skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore ende nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara që të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas Pjesës IX të këtij ligji, në kohën kur ato pagesa maturohen”, thuhet në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Por, për ta bërë këtë duhet formimi i komisioneve funksionale, për çka nuk janë pajtuar partitë politike deri tani në opozitë, të cilat kanë deklaruar se fillimisht duhet Qeveria e më pas komisionet.
KOHA gjatë së hënës ka kërkuar nga 4 partitë politike, LVV, PDK, LDK dhe AAK përgjigje nëse do të pranojnë që të formohen Komisionet për të proceduar me zgjatjen e afatit të buxhetit, por asnjë nga to nuk është përgjigjur.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, për këtë i bën fajtore partitë deri tani në opozitë, teksa ka folur për ekzekutimin e buxhetit për RTK-në.
“PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026. Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron. Kuvendi mund të formojë fillimisht vetëm komisionet e përhershme: për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve. Këto komisione do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së”, ka thënë Murati.
Qeveria në detyrë javën e kaluar ka miratuar Projektbuxhetin për 2026-n në vlerë prej 4 miliardë eurosh, të cilin më pas ia ka përcjellë Kuvendit për miratim.
Miratimi i tij u konsiderua i jashtëligjshëm nga LDK, PDK, e AAK, të cilat kanë thënë se nuk munden që ata të cilët hartojnë ligjin ta përcjellin në Kuvend e ta votojnë përsëri vetë./Koha.net/Katror.info



			








                               
                             



