Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Bangladeshit në Kosovë, Muhammad Zulqar Nain.
Gjatë takimit, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Nain dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Bangladeshit në arenën ndërkombëtare. Ajo përmendi takimin e mëparshëm me Kryeministrin e Bangladeshit, Muhammad Yunus, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së në New York, ku u ritheksua përkushtimi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit, njofton zyra për informim e Presidencës.
Ambasadori Nain shprehu vullnetin e Bangladeshit për thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai përcolli urimet e përzemërta të udhëheqjes së Bangladeshit për popullin e Kosovës, duke theksuar se raportet ndërmjet dy shteteve do të forcohen edhe më tej në të ardhmen, thuhet më tutje në njoftim. /Katror.info











