Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, pas marrjes së detyrës së tij në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi gjeneralin Ulutaş për marrjen e detyrës dhe e mirëpriti rikthimin e tij në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.
Presidentja shprehu mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë pjesëtarëve të KFOR-it që kontribuojnë për sigurinë dhe paqen në Kosovë.
Në diskutimet për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, Presidentja Osmani ngriti shqetësimet për kërcënimet që vijnë nga Serbia, duke theksuar në veçanti rrezikun që paraqet përdorimi i dronëve dhe taktikat e tjera destabilizuese.
Ajo nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës për të parandaluar çdo përpjekje që synon cenimin e rendit dhe sigurisë në vend./Katror.info