E përditësuar 11:48
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pas një takimi me liderët e partive politike.
Ky hap erdhi pasi mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë. Me shpërndarjen e Kuvendit, vendi tashmë i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Fillon takimi i presidentes Osmani me liderët
Ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive politike.
Aty po marrin pjesë lideri i Vetëvendosjes , Albin Kurti, Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, Fatmir Limaj i Nismës, Faton Peci nga ‘Guxo’, Mimoza Kusari-Lila nga Aletrnativa dhe drejtues të partive tjera nga komunitetet.
Takimi u thirr pas dështimit një ditë më parë që Glauk Konjufca si mandatar i dytë të merrte votëbesimin në Kuvendin e Kosovës për krijimin e qeverisë së re. Ai arriti t’i merrte vetëm 56 vota për. Po kaq vota kishte marrë me 26 tetor edhe Albin Kurti. Nga 61 vota të domosdoshme, Kurti kishte arritur t’i merrte vetëm 56 vota, të pamjaftueshme për ta bërë qeverinë ‘Kurti3”.
Vendi kishte mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare, me 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 42. 30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 20.95 për qind të votave, LDK-ja e treta me 18, 27 për qind të votave, ndërsa AAK-ja me 7,06 për qind të votave.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme – Presidentja pret sot partitë politike
Pas dështimit të mandatarit, Glauk Konjufca, që t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar për sot partitë parlamentare për një takim mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare
Takimi është thirrur për në orën 10:30.
Në ftesën që u është dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”. /Katror.info
















