Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Tiranë me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Përmes një postimi në rrjete sociale, presidentja Osmani e cilësoi kënaqësi takimin me Kallas, të cilën e përshkroi si “një mbështetëse të kahmotshme për një Evropë të sigurt dhe të bashkuar”, shkruan Katror.info.
“Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Është koha që BE t’i përgjigjet këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri,” shkroi Osmani, duke vlerësuar cilësitë e lidershipit të Përfaqësueses së Lartë.
Takimi u realizua përpara vizitës zyrtare të Kallas javën e ardhshme në Kosovë, pasi presidentja Osmani do të ndodhet jashtë vendit në një vizitë shtetërore të paracaktuar.
Takimi vjen në një periudhë vendimtare për procesin e integrimit evropian të Kosovës, ndërsa në agjendën e Kallas në Prishtinë pritet të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit dhe përparimin drejt anëtarësimit në BE./Katror.info