Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare mori pjesë në hapken e panairit të librit “Prishtina 2023,” bë Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në të cilin do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora dhe se janë rreth 2 mijë tituj të rinj.
Kadare, si mysafir nderi i Panairit, tha se ndihet i lumtur që ndodhet në hapjen e Panairit të Librit.
Ai shtoi se libri çdo populli i bënë nder të madh.
“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, aq të pa harrueshme që është dita e librit. Çdo populli i bën nder të madh. Unë shpresoj që do të rikthehemi më mirë, më fortë, më bukur. Ju falënderoj për këtë pritje”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti ka takuar dhe pati një bashkëbisedim me Kadarenë, i cili i dhuroi të nënshkruar librin e tij ‘’Aksidenti’’.
“Vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij jemi borxh sa s’thuhet”.
“Unë për veten time për çdo vit e lexoj “Përbindëshin”, e lexoj “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndrrave”. I lexoj një herë në vit, në mënyrë që të mos i marr në dorë për çdo javë, sepse kemi shumë punë e obligime dhe kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve,” tha ai.
Sipas Kurtit, Panairi është i një rëndësie të madhe dhe se dëshiron që panairi të ketë ndikim mendor e shpirtëror te të rinjtë.
“I nderuar Ismail Kadare, për mendimin tim shkrimtari më i madh i gjallë sot në botë. Panairi është si një festival i librit, lexuesi mund të vije si çdo vit, mandej mund të vije jo vetëm si lexues por edhe si shkrues. Sepse libri ka edhe bukurin e vetë si punim artizanal. Panairin unë vetë e ndjejë si një qytezë, por edhe si një shoqëri të hapur, e mendje të hapur”.
“Dëshiroj thellësisht që panairi të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë. Dëshiroj të shohë këtu sa më shumë të rijnë. Qeveria jonë ka ristrukturuar tërësisht qasjen ndaj zhvillimit të librit, kemi gjashtëfishuar buxhetin për librin. Nga 160 mijë euro deri në 1 milion euro.”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se libri është institucion i gjuhës, të shprehurit dhe rrëfimit, dhe si i tillë është formë bazike e konstitucionit human.
“Kjo është arsyeja pse njerëzit janë mbledhur në të shkuarën dhe do të takohen gjithmonë edhe në të ardhmen për të festuar librin, siç po bëjmë ne sot”, tha kryetari Konjufca.
Duke folur për figurën e shkrimtarit Ismail Kadare, kryetari Konjufca tha se letërsisë shqipe ia siguroi një vend të pavdekshëm në atë që vetë e quan “letërsia universale”.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, tha se ky organizim është i rëndësishme për kryeqytetin, raporton EO.
Në kuadër të panairit do të shënohet edhe 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.
Gjithashtu do të ketë mbi 40 aktivitete e promovime. Shkrimtari Ismail Kadare do të paraqitet me botimin e kompletit shtatëvëllimësh të veprave letrare, të cilat përfshijnë shtatë dekada krijimtari.
Do të bëhet edhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 09:00-20:00 dhe do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00. /Katror.info