Amir Rrahmani është duke shkëlqyer te Napoli dhe vlerësimet për të janë të vazhdueshme nga futbollistë, trajnerë e njohës të futbollit.
I fundit që ka folur për kapitenin e Përfaqësueses së Kosovës është ish-mbrojtësi i Napolit, Paolo Cannavaro.
Vëllai i legjendës italiane të futbollit, Fabio Cannavaro, ka thurur elozhe për Rrahmanin. Ai ka bërë një krahasim mes tij dhe futbollistit kosovar, duke thënë se ka një ngjashmëri mes të dyve në stilin e lojës.
”E shoh veten tek Rrahmani. Ai di t’i bëjë të gjitha edhe pse nuk shkëlqen në asnjërën prej tyre. Unë gjithmonë e kam menduar se të japësh shembull ishte më e rëndësishme sesa të japësh shumë fjalë”, ka thënë Cannavaro.
”Më pas, kur ka ardhur momenti i duhur, i kam përdorur edhe fjalët, por gjithmonë me respekt maksimal, posaçërisht për t’ua bërë me dije të tjerëve se si funksionon Napoli”, ka thënë ai për ‘Canale 8’ gjatë emisionit ‘Legends – Ci vediamo a Napoli’.
Rrahmani po kalon momente shumë të mira si në aspektin individual ashtu edhe ekipor.
Ai është në negociata për të vazhduar kontratën pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në tre sezonet e fundit.
Ndërkaq, Napoli është më afër se kurrë në vitet e fundit për të fituar Serie A, pasi që gjendet në vendin e parë në renditjen tabelore me 65 pikë, 15 më shumë se ndjekësi i parë Inter./Katror.info