Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, mbajtën me sukses koncertin premierë nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Ngjarja u zhvillua në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, duke filluar nga ora 19:30.
Koncerti, i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci dhe me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Romë, solli në skenë oratoriumin për solistë, kor dhe orkestër “La Tempesta sul Lago” nga Domenico Bartolucci.
Në këtë mbrëmje interpretoi një kast i larmishëm solistësh: Besa Llugiqi (soprano, Kosovë), Ivana Hoxha (mezzosoprano, Shqipëri), Carlos Cardoso (tenor, Portugali) dhe Biagio Pizzuti (bas, Itali), ndërsa koret u përgatitën nga dirigjenti Hajrullah Syla. Publiku i pranishëm e përshëndeti me duartrokitje të gjata interpretimin, duke vlerësuar profesionalizmin dhe fuqinë artistike të të gjithë artistëve.
Ky koncert i suksesshëm shërben si përgatitje për prezantimin e Filharmonisë së Kosovës në Romë më 23 nëntor 2025 në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, si pjesë e aktiviteteve të Jubileut në Vatikan, duke shënuar rikthimin e saj me të dy njësitë artistike në skenën romake pas gati 10 vjetësh./Katror.info











