Më 9 dhe 10 gusht, Central Park në Prishtinë u shndërrua në arenë të basketbollit rrugor, duke mirëpritur edicionin e veçantë “3×3 Central Park Edition”. Eventi, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me partnerë lokalë, mblodhi lojtarë të talentuar, adhurues të sportit dhe dashamirës të energjisë së 3×3-shit.
Në gjysmëfinale, ekipi Undrafted mposhti Prishtinën, ndërsa 0402 triumfoi ndaj Swish, duke siguruar një finale emocionuese. Në ndeshjen vendimtare, Undrafted fitoi ndaj 0402 me rezultatin 16:13, duke kurorëzuar veten si kampion i këtij edicioni.
Përveç dueleve të forta në fushë, publiku shijoi edhe garën e “3-pointshit”, ku Elliot Peci u shpall fitues. Ngjarja u karakterizua nga atmosferë elektrizuese, përplot adrenalinë dhe momente që do të mbahen mend gjatë nga pjesëmarrësit dhe shikuesit.
Organizatorët falënderuan sponsorët dhe komunitetin për mbështetjen, duke premtuar edicione edhe më madhështore në të ardhmen.