Përfundon me sukses edhe grumbullimi i katërt i pingpongistëve kosovarë
Për pesë ditë me radhë, 15 pingpongistë të talentuar të Kosovës morën pjesë në kampin e thirrur nga drejtori i përfaqësueses, Petrit Drenica, i cili u zhvillua në ambientet e SHFMU “Tefik Çanga” në Ferizaj, njofton Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK).
“Sportistët punuan intensivisht nën drejtimin e trajnerëve të përkushtuar dhe sparing-partnerëve, duke treguar disiplinë, përkushtim dhe potencial të lartë,” thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se grumbullime të tilla po ndikojnë dukshëm në performancën e sportistëve në arenën ndërkombëtare dhe shërbejnë për forcimin e frymës ekipore, përgatitjen taktike dhe zhvillimin e aftësive të reja.
“FPPK falënderon të gjithë pjesëmarrësit e këtij grumbullimi dhe beson në suksesin që sportistët do të arrijnë falë këtyre angazhimeve”, thuhet në njoftim. /Katror.info