FOTOIST 2025 po vazhdon rrugëtimin e tij krijues në Prishtinë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të artit pamor dhe të rrëfimit bashkëkohor.
Edicioni i tretë i festivalit, që zhvillohet nën temën “Festë”, ka nisur më 17 tetor dhe do të zgjasë deri më 24 tetor, duke sjellë një program të pasur me 12 ekspozita fotografike dhe 36 ngjarje artistike e edukative në hapësira të ndryshme të qytetit.
Përmes fotografive, instalacioneve dhe ndërveprimeve kreative, FOTOIST eksploron dimensionet e krijimtarisë, qëndrueshmërisë dhe kujtesës kolektive, duke bashkuar artistë vendorë e ndërkombëtarë në një platformë që nxit dialogun përmes imazhit.
Në hapjen e festivalit mori pjesë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili vlerësoi FOTOIST-in si një ngjarje që po e konsolidon Prishtinën në hartën kulturore të rajonit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështet këtë festival që tashmë është bërë një pjesë e rëndësishme e ofertës kulturore të Kosovës, duke reflektuar energjinë dhe diversitetin e skenës sonë artistike bashkëkohore./Katror.info