Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka fituar çmimin prestigjioz “Aaron and Elizabeth Waters Student Research Award” nga Universiteti i Kalifornisë – një prej institucioneve më të njohura në SHBA për astronomi planetare.
Ky çmim, që jepet vetëm një herë në vit për propozimin më të fuqishëm të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare, shoqërohet edhe me një grant prej 3,000 dollarësh për mbështetjen e kërkimit shkencor.
Hyseni, e cila po kryen studimet doktorale në këtë universitet, fokusohet në studimin e asteroidëve dhe trupave të vegjël të Sistemit Diellor, sidomos atyre që përmbajnë ujë dhe përbërje organike. Kërkimi i saj përfshin analiza laboratorike, vëzhgime me teleskop dhe modelim teorik, me synimin për të kuptuar shpërndarjen e ujit dhe materialeve që mund të kenë ndikuar në krijimin e jetës në fazat e hershme të Sistemit Diellor.
Duke e ndarë lajmin, Hyseni theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një dëshmi se kureshtja dhe përkushtimi për shkencën nuk njohin kufij, duke shpresuar që suksesi i saj të jetë një frymëzim për të rinjtë që ndjekin pasionin e tyre në shkencë./Katror.info