Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Urdhrin e Lirisë për z. Harry Bajraktari, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit.
Bajraktari, për më shumë se tri dekada, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe duke përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në periudha të ndjeshme. Ai ka mbështetur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin Amerikan dhe udhëheqës të tjerë.
Presidentja Osmani e falënderoi z. Bajraktari për përkushtimin e tij dhe i uroi mirënjohje të përjetshme për gjithçka që ka bërë për Kosovën./Katror.info











