Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar sot një cikël të ri takimesh konsultative me përfaqësuesit politikë të vendit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit të ri,kështu ka njoftuar Zyra e Presidencës shkruan Katror.info.
”Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Në ditën e parë të konsultimeve, Presidentja Osmani ka mbajtur takime me Kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
”Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet tutje në njoftim.


”Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, theksohet në njoftim.
Në fund të njoftimit, u bë e ditur se Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës./Katror.info
Përgatiti:
